• raporti shqip


  •   
  • FileName: inclusive_education_report_2005.pdf [read-online]
    • Abstract: Zela Koka, MA.Valentina Haxhiymeri, Dr. Marita Nika Flagler, Fatmir Bezati ... Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. me mbështetjen dhe ...

Download the ebook

1
2
Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara
me mbështetjen dhe në bashkëpunim me Save the Children, në Shqipëri
ANALIZË E KUADRIT LIGJOR QË GARANTON
EDUKIMIN E FËMIJEVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA
NE KUSHTET E ARSIMIT GJITHPERFSHIRES
RAPORT STUDIMOR
Përvojë rajonale, arritje, sugjerime
dhe sfida për të ardhmen
Realizuan studimin:
Zela Koka, MA.Valentina Haxhiymeri, Dr. Marita Nika Flagler, Fatmir Bezati
Përgatiti raportin:
Valentina Haxhiymeri
Tiranë, Mars 2005
3
Fondacioni Shqiptar per te Drejtat e Personave
me Aftesi te Kufizuara. (FSHDPAK)
Rr. Mujo Ulqinaku, Nr 26, Tirane
Tel +3554 266 892/ 269426/
e-mail: [email protected]/
www.adrf.org.al
SAVE THE CHILDREN - NË SHQIPËRI
Rr. Komuna e Parisit; L8, P 1 Maji, Vila Lami,
P.O. Box 8185 Tirane
Tel: +355 4 2361840; 261929,266277
Fax +355 4 263428
e-mail: [email protected]
www.savealbania.org
4
Tabela e përmbajtjes
Hyrje .......................................................................................................................................... 5
1. Kuptimi bashkëkohor për gjithpërfshirjen në arsim dhe historia
e implementimit të saj në shkollën shqiptare .................................................................................. 7
2. Kuadri ligjor ekzistues që garanton arsimimin e fëmijëve me
AK në kushtet e arsimit gjithpërfshirës ....................................................................................... 11
3. Projekti “Arsimi Special i Integruar” – “laboratori” që vuri në provë
efektivitetin e kuadrit ligjor ekzistues për arsimin gjithpërfshirës ................................................... 14
4. Situata aktuale e zbatimit të ligjit për arsimin gjithpërfshirës
në rajonet Librazhd dhe Elbasan ................................................................................................ 17
5. Mendime të specialistëve të edukimit rreth efektivitetit të zbatimit
të ligjit për arsimin gjithpërfshirës ............................................................................................... 35
6. Përfundimet e studimit ............................................................................................................... 38
7. Fushat e ndërhyrjes për të rritur efektivitetin e zbatimit të ligjit
për arsimin gjithpërfshirës .......................................................................................................... 40
8. Referencat ................................................................................................................................ 45
9. Grupi i studimit .......................................................................................................................... 46
5
6
HYRJE
Një ndër kërkesat e shtruara qartë për vendet që kërkojnë të anëtarësohen në Komunitetin
Europian është edhe përmbushja e të drejtës për arsimim të të gjithë fëmijëve pa asnjë lloj dallimi,
pavarësisht nga ... aftesia e kufizuar qe ata kane. Për shoqërinë shqiptare, plotësimi i kësaj kërkese
ende përbën një shqetësim të madh. Pavarësisht nga fakti se shkolla jonë ka vite që është përfshirë
në një sërë procesesh reformuese të cilat vazhdojnë të synojnë ridimensionimin e funksioneve të
saj edukative dhe shndërrimin gradual të saj në shkollë “për të gjithë”, rezultatet e deritanishme
akoma nuk i afrohen standardeve dhe kërkesave të KE.
Në këto rrethana, intensifikimi i përpjekjeve të përbashkëta për të përshpejtuar dhe thelluar
më tej reformën gjithpërfshirëse në arsim që nënkupton në vetvete sigurimin e barazinë arsimore
për të gjithë nxënësit, përfshi edhe ata me AK, përbën një detyrë sa të rëndësishme aq edhe të
domosdoshme. Orientuar nga kjo ide, në muajt dhjetor 2004 dhe janar 2005, Fondacioni Shqiptar
për të Drejtat e Personave me Aftesi te Kufizuar, financuar nga “Save the Children”, ndërmori një
studim rajonal që synoi të zbulojë hapat konkrete lidhur me zbatimin e ligjit për arsimimin e
fëmijëve me AK në kuadër të arsimit gjithpërfshirës, si dhe të nxjerrë në pah problemet që
pengojnë realizimin e tij në mënyrë të plotë. Studimi u shtri në zonën e Librazhdit, Elbasanit ku
vitet e fundit është implementuar projekti i mirënjohur “Arsimi Special i Integruar” që kontribuoi
në krijimin e përvojës së parë të arsimimit të fëmijëve me AK në shkollat e zakonshme dhe në
përmirësimin e kuadrit ligjor që garanton vazhdimësinë e kësaj përvoje.
Për të arritur qëllimet e tij, studimi u fokusua jo vetëm në shkollat e zakonshme por edhe në
institucionet e tjera që drejtojnë dhe mbështesin veprimtarinë edukative të këtyre shkollave. Në
këtë mënyrë, pjesë e studimit u bënë nxënësit me AK, bashkëmoshatarët e tjerë normalë, mësuesit
e tyre, prindërit e fëmijëve me AK, specialistët e shërbimit psikologjik, drejtuesit e shkollës, drejtues
dhe inspektorë të DAR dhe ZA, punonjës të ZSHS pranë bashkisë së rrethit, pedagogë dhe studentë
të fakulteteve që përgatisin mësues, specialistë të edukimit në MASH, etj. Me synimin per mundesine
e replikimit te projektit ne qytetin e Tiranes, ne studim u perfshine dhe Drejtoria Arsimore Tirane
si dhe zyra e Sherbimit Social ne Bashkine Tirane.
Gama e madhe e subjekteve të përfshira në studim dhe veçoritë tyre lidhur moshën, profesionin,
rolin, nivelit arsimor dhe funksionin përkatës, diktuan para grupit të studimit përdorimin e metodave
të larmishme për grumbullimin e informacionit të nevojshëm. Në këtë kuadër, u bë kujdes që
metodat studimore të përputhen me qëllimet specike të studimit dhe karakteristikat e subjekteve
sipa çdo grup-moshe të veçantë. Me fëmijët me AK u përdor më dëndur vëzhgimi në mjediset
mësimore dhe në oborr të shkollës, bashkëbisedimi në grup, përfshirja në detyra akademike dhe
vizatimore, dhe më rrallë, u përdorën intervistat e drejtpërdrejta. Me bashkëmoshatarët e tyre
normalë u përdorën metoda e vëzhgimit, përfshirjes në detyra vizatimi dhe pyetësorët. Me mësuesit,
prindërit, psikologun, drejtuesit e shkollës, studentët dhe stafi akademik i UE u përdorën anketimet,
intervistat e drejtpërdrejta dhe ato në telefon. Në të njejtën mënyrë u veprua edhe me inspektorët
e DAR, ZA, ZSHS dhe MASH. Pas përpunimit në % të të dhënave të mbledhura dhe shqyrtimit
analitik të fakteve të dokumentuara, studimi përfundon me një raport me shkrim.
Përmbajtja e raportit ndjek linjën logjike të vetë studimit. Ai përbëhet nga tre pjesë të
rëndësishme. Në pjesën e parë gjen shpjegim kuptimi bashkëkohor i gjithpërfshirjes në arsim dhe
7
historia e implementimit të saj në shkollën e zakonshme shqiptare, si dhe përmirësimet në vijimësi
të kuadrit ligjor që garantojnë arsimimin e fëmijëve me AK në kushtet e arsimit gjithpërfshirës.
Kjo pjesë përbën bazën teorike ku u mbështet studimi dhe thekson faktin se në Shqipëri ekziston
një përvojë e suksesshme e arsimit gjithpërfshirës, dhe një kuadër ligjor në përgjithësi i kompletuar,
që siguron vazhdimësinë e kësaj përvoje. Pjesa e dytë e studimit merr përsipër t‘u përgjigjet pyetjeve
se si paraqitet aktualisht situata gjithpërfshirëse dhe në ç‘masë po vepron ligji për arsimin
gjithpërfshirës? Kjo pjesë përpiqet të përmbush qëllimin pse u ndërmorë studimi, dhe bën një
analizë të hollësishme mbështetur në fakte konkrete rreth problemeve të shkollës së zakonshme
lidhur me zbatimin e ligjit për edukimin e fëmijëve me AK në kushtet e arsimit gjithpërfshirës.
Përfundimet paraprake të kësaj pjese të studimit u bënë çështje diskutimi në një tryezë të
rrumbullakët me specialistë të edukimit në nivel ekspertësh, duke i hapur udhën realizimit të qëllimit
final të studimit, përcaktimit të fushave të ndërhyrjes për të rrtur efektivitetin në zbatimin e ligjit
për arsimin gjithpërfshirës. Kjo çështje përbën pjesën e fundit të raportit që ndiqet nga rekomandime
modeste për të bërë ndryshimet e duhura në të ardhmen.
Për përgatitjen e raportit u shfrytëzuan botime, artikuj studimor, raporte vlerësimi, dhe
dokumente të tjera të rëndësishme. Në përmbajtjen e raportit zënë vend edhe ilustrimet konkrete
që shprehin përjetime të fëmijëve me AK dhe prindërve të tyre. Për të rritur vlefshmërinë e jashtme
të studimit, raportit i janë bashkangjitur disa nga formatet e përdorura në intervista, anketime
dhe pyetësor. Këto dhe të tjera, janë përfshirë në rubrikën SHTOJCA.
Së fundi, grupi i studimit shpreh falenderimet e sinqerta për të gjithë ata që dhanë ndihmesën
e tyre në procesin e studimit dhe në finalizimin e këtij raporti.
8
1. KUPTIMI BASHKEKOHOR PER GJITHPERFSHIRJEN
NE ARSIM DHE HISTORIA E IMPLEMENTIMIT TE SAJ
NE SHKOLLEN SHQIPTARE
Gjithpërfshirja në arsim është një proces kompleks i cili parasëgjithash, ka nevojë të njihet dhe pastaj
të vihet në lëvizje.
Sipas një kuptimi më të moderuar, gjithpërfshirja ndryshon nga integrimi. Ajo ka të bëjë me diçka më
shumë se sa thjesht t‘i pranosh fëmijët me nevoja të veçanta brenda klasës së rregullt. Pranimi në vetvete
është një proces më i lehtë dhe nuk kërkon ndryshime në sistem. Ndërsa, përfshirja kërkon të bëhen
ndryshime rrënjësore. Zakonisht këto ndryshime fillojnë me kuadrin ligjor për arsimimin dhe pasojnë me
angazhimin e përbashkët të autoriteteve arsimore dhe të vetë shkollës, për të rritur pjesmarrjen e të gjithë
nxënësve në programet mësimore, për të siguruar shërbime mbështetëse të mjaftueshme, personel të
kualifikuar, mësues me trajnimin e duhur, dhe mbi të gjitha, për të krijuar një atmosfere shkollore mikpritëse
dhe të sigurt. (“Unë jam si ju” fq. 59. Prill, 2003). Një shkollë e tillë kultivon kulturën e bashkëpunimit,
përkujdesjes dhe respektit reciprok. Ajo orientohet nga ideja se diferencat dhe diversiteti midis nxënësve
nuk mund të shihen më si pengesa për zhvillimin dhe të nxënit, por si cilësi që duhen vlerësuar me përparësi,
duke lejuar kështu që çdo nxënës, përfshi edhe ata me nevoja të veçanta (fizike, mendore, sociale dhe
emocionale), të zhvillojnë aftësitë e tyre përkrahë moshatarëve të tjerë.
I parë nga ky kënvështrim, gjithpërfshirja në arsim cilësohet si mjeti më i favorshëm që krijon shanse
të barabarta arsimimi për të gjithë fëmijët, me apo pa aftësi të kufizuara, shmang qëndrimet diskriminuese
ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta, nxjerr në pah vlerat personale të gjithësecilit, për të cilat një shoqëri
e emancipuar ka shumë nevojë, dhe lehtëson integrimin social të tyre në jetën e ardhshme si të rritur.
Përveç dobisë arsimore, edukimi gjitpërfshirës i kushton shumë më pak shoqërisë njerëzore. Për këto
arsye dhe të tjera, shumë vende të zhvilluara të botës e kanë përqafuar herët praktikën gjithpërfshirëse
dhe sot janë duke reflektuar vlerat e shumfishta që burojnë prej saj.
Nga na tjetër, përvoja e këtyre vendeve, ka treguar treguar se rruga drejt gjithpërfshirjes së plotë
nuk është dhe aq e lehtë! Një studim i UNESCO-s në vitin 1996 për arsimimin e personave me nevoja të
veçanta dhe nivelet e gjithpërfshirjes së tyre në shkollat e zakonshme (në 52 vende të botës) tregoi se asnjë
nga vendet e marra në studim (përfshi edhe ato vende relativisht të pasura dhe të zhvilluara nga pikpamja
arsimore), nuk kishin arritur gjithpërfshirjen totale (Unë jam si ju - fq. 60. prill 2003). Por pavarësisht
nga niveli aktual i gjithpërfshirjes, këto vende janë shumë më përpara në këtë drejtim se sa vendi ynë!
Gjithpërfshirja arsimore në Shqipëri ende përbën një proces në hapat e tij të parë. Nxitja dhe mbështetja
e këtij procesi, kryesisht ka ardhur nga organizmat jo qeveritare lokale dhe ndërkombëtare si: Children’s
Aid Direct (CAD), UNICEF, Save the Children, MEDPAK, Shoqata Kombëtare e Handikapëve
Mendorë, FSHDPAK, Ndihmoni Jetën, Organizata e te verbërve, etj. Ndërkohë, politikat qeveritare në
këtë aspekt, kanë qënë të pakta, ndërsa praktikat gjithpërfshirëse mjaft të ngadalta. Gjithësesi, në 7 vitet
e fundit mund të konstatohet lehtësisht se është rritur në mënyrë progresive vetëdija dhe përpjekja e
përbashkët për të pranuar dhe instaluar arsimin gjithpërfshirës.
Merita më e mëdhe në këtë drejtim, i takon pa dyshim, organizmave joqeveritare të lartpërmendura,
të cilat përveç përkujdesjes së drejtpërdrejtë social-ekonomike që kanë treguar ndaj personave me nevoja
të veçanta, nuk kanë rreshtur për asnjë çast përpjekjet e tyre për të ndikuar në përmirësimin e politikave dhe
legjislacionit shqiptar që garantojnë të drejtën e çdo personi (përfshi edhe ata me AK), për t‘u arsimuar dhe
për të pasur një jetë normale e me dinjitet. Projektet e secilës prej këtyre organizmave, edhe pse ndonjëherë
të pabashkërenduara mirë mes njëra-tjetrës, përbënë shtratin mbi të cilin lindën idetë e para për arsimin
gjithpërfshirës në Shqipëri dhe ku u mbështet ligjërisht inicjativa për futjen e tij në proces.
Në fakt, ato pak projekte që i paraprinë historisë gjithpërfshirëse në arsimin shqiptar, fillimisht
9
propoganduan dhe aplikuan integrimin e fëmijëve me AK në mjediset e zakonshme edukative. Në
këtë linjë, vlen të përmendet projekti i shoqatës Children’s Aid Direct (CAD) në bashkëpunim me Drejtorinë
Arsimore të Tiranës dhe shoqatën kombëtare të prindërve “Në Ndihmë të Handikapeteve Mendore”, i
zbatuar në vitet 1994-1996. Përmes këtij projekti, i cili pushoi së ekzistuari me mbarimin e fondeve, u
arrit të integrohen disa fëmijë me AK në disa kopshte të Tiranës. Po në këtë periudhë u integruan 11 fëmijë
të moshës shkollore në shkollën e qytetit të Librazhdit (FSHDPAK-Nano, 2002).
Më pas, në vitin 1997-1998 Qendra e Zhvillimit të Fëmijëve në Tiranë, ndërmori një projekt që synoi
integrimin e fëmijëve me AK (probleme dëgjimore, autizëm, hiperaktivitet, me vonesa në zhvillimin
psikomotor, me probleme të foluri, etj.) në shkollat e zakonshme. Aktualisht këta nxënës vazhdojnë
shkollën e përgjithshme pa ndonjë mbështetje të jashme (Nano, 2002).
Paralelisht me praktikat e para integruese, u zgjua interesi për identifikimin e fëmijëve me AK në
shkallë vendi dhe për njohjen reale të problemeve të tyre lidhur me arsimimin.
Sondazhi i organizuar nga FSHDPAK në 1998, i fokusuar në visibilitetin e njerëzve me aftësi të
kufizuara dhe veçanërisht të fëmijëve me AK, tregoi se janë të paktën 9 000 fëmijë me aftësi të
kufizuara të theksuara dhe (e diskutueshme) deri në 11 000 të tjerë me aftësi të kufizuara të lehta,
të cilët nuk kanë marë shërbime nga OQ-të dhe OJQ –të (Unë jam si ju, fq. 32. Prill, 2003). Ky studim
shpjegoi gjithashtu edhe arsyet e padukshmërisë së PAK. Argumenti qëndron në faktin se familjet shqiptare
preferojnë më tepër etiketimin “i sëmurë” për të afërmit e tyre me AK, duke ju ofruar atyre kujdes brenda
familjes, por edhe duke i fshehur ose përjashtuar nga jeta normale, me qëllim që t`i shpëtojnë frikës së të
qënit “objekt diskriminimi dhe talljeje” (Unë jam si ju, fq.34. Prill 2003).
Studime të tjera në vijim, të shoqëruara edhe me statistika, artikuj, botime, etj. sollën fakte nga
realiteti shqiptar lidhur me arsimimin e fëmijëve me AK.
Në këtë kontekst, studimi i Prof. Dr. Virxhil Nano (botuar në revistën pedagogjike, nr. 1-2, v.
2000), dëshmon se:
“ ... gati 20 % e fëmijëve në periudhën e shkollimit manifestojnë vështirësi serioze
apo nevoja speciale për të nxënë. Ndërkohë, ... institucionet që ofrojnë shërbime të
përshtatshme nuk arrijnë të plotësojnë as 2-3 % të nevojave në shkallë vendi. Shumica
e qyteteve dhe fshatrave mbeten të pambuluara me shërbim arsimor të përshtatshëm
për fëmijët me AK”.
Ndërsa studimi i Prof. As. Dr. Ardian Turku, në vitin 2001, përshkruan si më poshtë gjendjen në
institucionet speciale:
“Institucionet e specializuara për arsimimin e fëmijëve me AK manifestonjnë një
ulje të efektivitetit të punës që rezulton jo vetëm nga izolimi social që ju bëhet fëmijëve
në to, por edhe nga ... zhvillimi i programeve mësimore shpesh jo të përshtatshme, mungesa
e një kualifikimi të vazhdueshëm të stafit që ofron shërbime edukative dhe terapeutike,
bashkëpunimi i bobët me strukturat komunitare, prezenca e një teknologjie të
pamjaftueshme për mësimdhënien cilësore, etj.”
Shifrat e deklaruara nga sondazhi i FSHDPAK-së, si dhe gjendja e rënduar e arsimimit të fëmijëve
me AK konfirmuar nga studime eksperte, ndikuan në rritjen e vetëdijes profesionale për të sjellë
ndryshim në fushën e edukimit special, si dhe përforcuan idenë për gjetjen e nje forme arsimore më
të përshtatshme dhe më masive për arsimimin e fëmijëve me AK.
Në kontekstin e këtyre përpjekjeve për të sjellë zhvillime të reja arsimore, nis fazën e tij të parë
projekti “Arsimi Special i Integruar” (2000-2001), i cili u ideua dhe u zbatua nga shoqata MEDPAK me
qendër në Librazhd, ndërsa financimi u krye nga UNICEF, Movimondo (OJF Italiane) dhe CAD. Me
ndihmën e specialistëve të edukimit projekti arriti të përqasë me sukses modelin bashkëkohor të arsimit
10
gjithpërfshirës me përvojën tonë të edukimit në përgjithësi, dhe atë special, në veçanti, duke gjeneruar në
këtë mënyrë një variant shqiptar të gjithpërfshirjes në arsim. Zbatimi i këtij varianti në zonën e Librazhdit,
mundësoi të gjithë fëmijët me AK (mendore, sensore, motore, sociale dhe emocionale) dhe vështirësi në
të nxënë të këtij rajoni, që të vazhdonin shkollën pranë qendrave të tyre të banimit. Rezultatet e arritura në
fazën e parë të projektit, u bënë shtysë për inicjimin e dy fazave të tjera të tij (2001-2002; 2002-2003),
që synuan zgjerimin e përvojës së fituar edhe në rajonet e tjera të afërta (Elbasan dhe Peqin).
Në një raport vlerësimi të ndërmarrë nga UNICEF dhe MASH që synonte monitorimin e arritjeve të
veprimtarisë trevjeçare të projektit “Arsimi Special i Integruar” (dhjetor 2003) konkludohet se “Përfshirja
e fëmijëve me nevoja të veçanta në këtë projekt ndikoi dukshëm në përmirësimin e mundësive të
tyre për të nxënë, në rritjen e aftësisë për t`u shoqërizuar dhe në zotërimin e aftësive për jetën. ...
Nga pikëpamja financiare, kostoja e edukimit të çdo nxënësi të përfshirë në projekt rezulton 16,2
herë më e vogël se kostoja mesatare e edukimit të fëmijëve me AK në shkolla e institucione speciale....
Në të njejtën kohë, projekti kontribuoi në zhvillimin e programeve kualifikuese dhe kooperuese
mes hallkave të ndryshme që mundësojnë arsimin gjithpërfshirës”.
Përmes projektit “Arsimi Special i Integruar” u arrit më në fund të bëhet realitet gjithpërfshirja e
fëmijëve me nevoja të veçanta në shkollat e zakonshme pranë vendbanimeve të tyre.
Në studimin sasior-cilësor mbi përgatitjen e shkollës shqiptare për të ecur më tej në proceset integruese
që u zhvillua ne Tirane dhe Durres nga Fondacioni Shqiptar për te Drejtat e Personave me Aftesi te
Kufizuara(FSHDPAK), një organizatë joqeveritare që ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në promovimin
e së drejtës për arsim për fëmijët me aftësi të kufizuara, ne menyre te vecante per aprovimin e dispozitave
normative, kapitullit mbi arsimin special, doli ne pah fakti se integrimi i fëmijëve me aftësi te kufizuara nuk
perbën një dukuri masive. Qëndrimet e mësuesve dhe të nxënësve janë pozitive, dashamirëse dhe njerëzore,
por shkollat nuk kanë akoma një politikë të qartë për realizimin e procesve integruese. Studimi tregoi se
ka ndryshime pozitive në qendrimin e njerëzve në pergjithësi dhe të mesuesve në veçanti për realizimin e
proceseve integruese, gjë që përben një bazë të mirë për realizimin e politikave arsimore gjithëpërfshirëse.
( Shkolla shiptare drejt proceseve integruese - Nano, 2002)
Në përgjigje të këtyre fakteve dhe eksperiences tashme te pakontestueshme per nga suksesi të
projektit “Arsimi Special i Integruar” Librazhd, MASH aprovon Dispozitat Normative të Arsimit
Parauniversitar (dhjetor 2002) ku përfshin për herë parë konceptin e arsimit gjithpërfshirës dhe
një sërë rregullash për ta bërë të mundur zbatimin e tij në praktikë. Me aprovimin e Dispozitës Normative
(dhjetor, 2002), jo vetëm u plotësua vakumi ligjor i deriatëhershëm për arsimin gjithpërfshirës, por më e
rëndësishmja është se u hap drita jeshile për futjen e tij në sistemin arsimor të detyruar.
Në korrik 2003, nis projektin shoqata “Ndihmoni Jetën” financuar nga Save the Children që synon
krijimin e një përvoje të ndërhyrjes edukative gjithpërfshirëse më të hershme se sa arsimi i detyruar
fillor. Në këtë kuadër, projekti ka vendosur 31 fëmijë me prapambetje të lehtë mendore, epilepsi, autizëm,
vështirësi të sjelljes dhe veshtirësi emocionale në 12 kopshte të tre njësive bashkiake në Tiranë (Njësitë
1,2,3) dhe për të zgjeruar këtë përvojë ka trajnuar edhe 80 edukatore dhe drejtuese kopshti.
Hapi tjetër i Qeverisë Shqiptare dhe tepër serioz në drejtim të gjithpërfshirjes, është hartimi i Strategjisë
Kombëtare për PAK (aprovuar në 2004). Mes të tjerash, në këtë plan-veprimi qeveritar, zënë një vend
të rëndësishëm edhe politikat për arsimimin e fëmijëve me AK, të cilat në avancë synojnë:
• shtrirjen graduale të arsimin gjithpërfshirës, duke e filluar këtë proces që në kopsht;
• përmirësimin e shkollave speciale dhe kthimin e tyre në qendra burimore për arsimin e zakonshëm;
Gjithashtu, arsimimi i fëmijëve me AK është përfshirë edhe në strategjinë e MASH-së për edukimin.
Pjesë e kësaj strategjie, është edhe atashimi gradual i psikologëve në shkollat e rregullta, proces i cili
11
sapo ka filluar.
Si përfundim, mund të themi se fillimi i shekullit të 21-të ka sjellë një erë të re dhe mjaft favorizuese
për procesin gjithpërfshirës në arsimin shqiptar. Falë përpjekjeve të përbashkëta të organizmave joqeveritarë
dhe atyre qeveritarë, mund të deklarojmë me entuziazëm se aktualisht kemi një variant rajonal të
arsimit gjithpërfshirës i cili mund të shërbejë si model për të zhvilluar praktika edukative gjithpërfshirëse
në një shkallë më të gjërë. Gjithashtu, kemi edhe një kuadër ligjor të përparuar dhe të krahasueshëm
me vendet e zhvilluara që mbështet këtë risi edukative. Dhe në të njejtën kohë, kemi përpara shumë
punë për të bërë që ky kuadër ligjor të bëhet i njohur dhe plotësisht i zbatueshëm. Unë Jam si Ju
–Vëzhgim mbi Situatën e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara në Shqiperi” ( Closs, Nano, Ikonomi, 2003) si
studimi më i plotë i kryer deri tani në fushën e aftësisë së kufizuar, në seksionin mbi arsimimin, konkludon
se shkollimi i të gjithë fëmijëve deri në përfundim të arsimit të detyruar përben një sfidë të
madhe për Shqiperinë, kryesisht për shkak te nivelit ekonomik të familjeve shqiptare, problemeve të
transportit dhe mundësive materiale të vogla te shkollave…….”
Pikërisht, temat në vijim të këtij raporti studimr synojnë të trajtojnë çështje që i referohen këtij problemi
kaq të rëndësishme dhe imediat.
12
2. KUADRI LIGJOR EKZISTUES QE GARANTON
ARSIMIMIN E FEMIJEVE ME AK NE KUSHTET
E ARSIMIT GJITHPERFSHIRES
Pas nënshkrimit zyrtar të Konventës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijës (në shkurt, 1992),
shteti shqiptar ka reaguar pozitivisht ndaj të drejtave të fëmijëve me AK dhe është përpjekur hap pas hapi
t‘i pasqyrojë ato me akte ligjore përkatëse. Në këtë kuadër, mund të përmendim miratimin e ligjit nr.
7952, datë 21.06.1995 të Kushtetutës së RSH për sistetim arsimor parauniversitar, i cili për herë të parë
shpalli se:
Neni 3: Shtetasit e RSH gëzojnë të drejta të barabarta për t‘u arsimuar në të gjitha nivelet
e arsimimit ... pavarësisht nga gjendja sociale, shëndetësore, ... dhe niveli ekonomik.
Neni 39: Arsimi special publik është pjesë përbërëse e sistemit arsimor publik në RSH.
Arsimi special publik synon që nëpërmjet përdorimit të formave dhe metodave të veçanta,
të sigurojë zhvillimin sa më të plotë të mundësive të personave të cilët paraqesin
paaftësi fizike, mendore ose emocionale, në përputhje me nevojat e tyre dhe kërkesat
për një jetë sa më dinjitoze.
Ky ligj u specifikua në Dispozitën Normative të asaj kohe për shkollat publike, të miratuar nga
Minitria e Arsimit, dhe që detyronte organet përgjegjëse ta zbatonin atë. Në adres të fëmijëve me aftësi të
kufizuara, DN në fjalë lejonte arsimimin e tyre si në shkollat speciale ashtu edhe në shkollat e
zakonshme. Shprehimisht në të thuhej:
Neni 62/1: Shkollat e arsimit special për nxënësit me paaftësi të ndryshme janë pjesë e rrjetit
të institucioneve shkollore parauniversitare publike në RSH;
Neni 62/8: Në fshatra ose qytete ku nuk ka shkolla të arsimit special, fëmijët me paaftësi
të ndryshme mund të arsimohen në shkollat 8-vjeçare publike, 1-2 xënës për klasë;
Fatkeqësisht, kjo dispozitë ligjore nuk u shoqërua me dekrete të veçanta për aplikime konkrete,
duke lënë kështu shteg për interpretime të ndryshme veçanërisht në aspektin praktik të edukimit. Në këtë
mënyrë, ligji as i ndalon fëmijët me aftësi të kufizuara të frekuentojnë shkollat e zakonshme, as nuk
garanton edukim të përshtatshëm për ta.
Për shumë vite, ambiguiteti kuptimor i ligjit u ndoq nga konfuzioni i rolit të shkollës dhe sigurisht në një
rast të tillë, konseguencat bien mbi nxënësit, veçanërisht atyre me nevoja të veçanta, prezenca e të cilëve
në klasat e rregullta shpesh shmanget, refuzohet ose shikohet si barrë nga mësuesit dhe jo si përgjegjësi
edukative për të përmbushur nevojat e tyre për rritje dhe zhvillim.
Por, me aprovimin e Disozitës Normative të dhjetorit 2002, situata ligjore ndryshon duke mbështetur
pa ekuivoke të drejtën e fëmijëve me AK për t‘u arsimuar në mënyrë të përshtatshme. Kjo DN nuk
përjashton asnjë kategori fëmijësh nga arsimi i detyruar, pavarësisht nga aftësitë që ata kanë. Në të njejtën
kohë, ajo garanton tre forma të realizimit të edukimit të tyre, si: shkollat e zakonshme, shkollat e
veçanta dhe institucione të tjera (p.sh., shtëpi), për atë grup fëmijësh të cilët për arsye të ndryshme nuk
mund të ndjekin as shkollën e zakonshme as shkollën e veçantë. Lidhur me këtë çështje, neni 57 i kësaj
DN, kreu XIII – “Arsimimi i nxënësve me nevoja të veçanta”, shprehet si më poshtë:
13
[1/b] Për fëmijët me aftësi të kufizuara, të natyrës mendore, fizike, shqisore dhe organike, shteti
përkujdeset dhe krijon mundësi dhe struktura mbështetëse apo organizma të tjerë të larmishëm
brenda dhe jashtë shkolle, për zhvillimin në maksimum të potencialeve të tyre.
[2 ] Arsimimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara realizohet në dy forma: nëpërmjet integrimit të tyre në
shkollat e arsimit publik (shkollat e zakonshme) në kuadrin e arsimit gjithpërfshirës dhe
trajtimit të tyre në shkolla apo klasa të veçanta (speciale), sipas kategorive e specifikave që ata
paraqesin, të cilat janë pjesë e rrjetit të institucioneve shkollore parauniversitare publike e RSH.
[7] Fëmijët me aftësi të kufizuara mendore apo fizike të rënda, në pamundësi të trejtohen në
shkolla të veçanta, mund të trajtohen në institucione të tjera sipas rastit.
[16] Personeli mësimor-edukativ bën përpjekje që nxënësi me aftësi të kufizuara të mos largohet
nga shkolla. Në rast se ai largohet, sipas parashikimit ... arsimimi i tij mund të vijojë në
shtëpi, nëse prindi e dëshiron një gjë të tillë.
Dispozita Normative e Arsimit Parauniversitar (dhjetor, 2002) garanton jo vetëm të drejtën e fëmijëve
me AK për t‘u arsimuar në tre forma, por konkretizon edhe të drejtën e përkatësisë së tyre në shkollat
e zakonshme. Lidhur me këtë, neni 57 i dispozitës normative shprehet:
[10] Nxënësit me aftësi të kufizuara, vërtetuar si të tillë nga organet shëndetësore, kanë të drejtë
të arsimohen në shkollat publike të zakonshme 1-2 nxënës për klasë. Për këta nxënës
shkolla merr masa dhe bën përpjekje të gjithanëshme për arsimimin, edukimin dhe
integrimin e tyre në jetën e klasës dhe të shkollës.
[13] Për t‘u ardhur në ndihmë dhe për të lehtësuar punën e mësuesve që japin mësim në klasat e
rregullta ku ka nxënës me aftësi të kufizuar (1-2 nxënës për klasë), mësuesit mund të përfitojnë
një nga alternativat e mëposhtme:
a) Për çdo nxënës me aftësi të kufizuar ulet me 3 (tre) numri i nxënësve të klasës;
b) Mësuesit i ulet ngarkesa javore me 2 (dy) orë mësimore;
c) Për çdo 4 (katër) orë mësimi të zhvilluara mësuesi paguhet 1(një) orë suplementare.
Në funksion të procesit të integrimit dhe të gjithpërfshirjes, neni 57 i DN, tani parashikon edhe një
sërë detyrimesh të tjera ligjore në adresë të shkollës së zakonshme, që kanë të bëjnë me mënyrën e
zbatimit të planit mësimor, programeve lëndore, teksteve, vlerësimin e fëmijëve me AK, kalimin e tyre nga
një klasë në tjetrën, etj. Këto detyrime janë shprehur si më poshtë:
[17] a) ... nxënësit me aftësi të kufizuara marrin njohuri në bazë të programeve të thjeshtuara
të arsimit 8-vjeçar, të përshtatura sipas mundësive dhe aftësive të tyre. Përveç njohurive,
me një program të zgjeruar të mësimit të punës nxënësve me AK u jepen njohuri fillestare
praktike në profesione të thjeshta.
b) Në zbatimin e teksteve dhe programeve mësimore, mbahen parasysh nevojat dhe specifikat
e fëmijëve. Sipas vështirësive që paraqesin nxënësit, zbatimi i tyre bëhet në mënyrë
krijuese.
c) Për nxënës të veçantë, gjendja e të cilëve është nën nivelin minimal të programit mësimor
ose kur ai paraqet nevoja krejtësisht të veçanta, do të punohet me plane edukative
individuale.
14
[18] Integrimi i nxënësve me aftësi të kufizuara me nxënësit e shkollave të zakonshme është
një proces i domosdoshëm bashkëkohor, që zbatohet në praktikën e shkollave të veçanta
dhe që vlerësohet si një proces i rëndësishëm në zhvillimin e fëmijëve. Ky proces është i
ndërsjelltë dhe për raste të veçanta mund të kalohet në integrim të plotë.
[19] Drejtoritë e shkollave të veçanta krijojnë mundësi që për disa lëndë mësimore, nxënësit me
aftësi të kufizuara të zhvillojnë mësim së bashku me nxënësit e shkollave 8-vjeçare të
zakonshme, duke vendosur lidhje bashkëpunimi me ato. ... Përveç mësimit, organizohen
edhe aktivitete edukative e argëtuese të përbashkëta.
[20] Vlerësimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara bëhet me nota ose me shprehje sintetizuese,
njësoj si për gjithë nxënësit e tjerë, por ata kalojnë nga klasa në klasën pasardhëse pa mbetje.
[21] Në përfundim të klasës së tetë, nxënësit me aftësi të kufizuara në shkollat e zakonshme,
në provimet e lirimit vlerësohen në bazë të programit të veçantë që është aplikuar me
ta. Tezat e provimit të lirimit, për këtë kategori nxënësish, hartohen nga vetë shkolla, me
miratimin e Drejtorisë Arsimore.
Megjithëse me vonesë, Dispozita Normative e vitit 2002, shënon një arritje të rëndësishme në procesin
e përmirësimit të kuadrit ligjor mbi të drejtën e fëmijëve me AK për t‘u arsimuar sikurse moshatarët e tjerë
normalë. Miratimi i saj, i hapi rrugën arsimit gjithpërfshirës në Shqipëri. Në këtë dispozitë gjen shprehje,
për herë të parë dhe në mënyrë të qartë, tendenca bashkëkohore e integrimit të fëmijëve me AK në
shkollat e zakonshme, kundrejt veçimit të tyre në institucione speciale, dhe shpallet si i domosdoshëm
arsimi gjithpërfshirës. Në planin deklarativ, kuadri ligjor që përfaqëson DN në fuqi vlerësohet si mjaft
i përparuar, demokratik dhe i krahasueshëm me standardet e vendeve të zhvilluara.
Por, - A e përmbush kriterin e përshtatshmërisë në planin praktik ky kuadër ligjor? Sa
efektiv është zbatimi i tij në terrenin shqiptar të edukimit?
Për t‘i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, do t‘i referohemi përvojës rajonale të zbatimit të projektit
“Arsimi Special i Integruar” (2000-2003) i cili bazuar në kuadrin ligjor ekzistues të arsimimit të fëmijëve
me nevoja të veçanta të RSH, arriti të modelojë variantin e parë shqiptar të arsimit gjithpërfshirës.
15
3. PROJEKTI “ARSIMI SPECIAL I INTEGRUAR” – “LABORATORI”
QE VURI NE PROVE EFEKTIVITETIN E KUADRIT LIGJOR
EKZISTUES PER ARSIMIN GJITHPERFSHIRES
Projekti “Arsimi Special i Integruar” , zbatuar nga MEDPAK dhe mbështetur nga UNICES, CAD në
bashkëpunim me MASH, etj. zhvilloi veprimtarinë e tij në rajonet Librazhd, Elbasan dhe Peqin. Kjo
veprimtari u shtri në tre faza (2000-2001;2001-2002;2002-2003") që realisht i bashkonte i njëjti qëllim
– sigurimi i barazisë arsimore për fëmijët me nevoja të veçanta. Si formën më të përshtatshme për
arritjen e këtij qëllimi, projekti zgjodhi arsimin gjithpërfshirës dhe si bazë juridike për të inicjuar këtë formë
të re edukative, ai shfrytëzoi ligjin nr. 7952, datë 21.06.1995 të Kushtetuës së RSH, specifikuar në nenin
62/8 të Dispozitës Normative të kohës, i cili shprehet: “Në fshatra ose qytete ku nuk ka shkolla të
arsimit special, fëmijët me paaftësi të ndryshme mund të arsimohen në shkollat 8-vjeçare publike,
1-2 nxënës për klasë”.
Gjatë aplikimit të këtij ligji në praktikë, projekti u ndesh me vështirësi të cilat konsistonin në:
• Mungesën e njohjes së ligjit për arsimimin e fëmijëve me nevoja të veçanta nga mësuesit dhe
prindërit;
• Hezitimin e mësuesve për të pranuar fëmijët me nevoja të veçanta në klasat e zakonshme pranë
vendbanimeve të tyre;
• Atmosferën jo mikpritëse dhe stigmatizuese të moshatarëve të tjerë normalë ndaj nxënësve me
AK të përfshirë në klasat e zakonshme;
• Paaftësinë profesionale të mësuesve për të identifikuar dhe trajtuar nga ana edukative nxënësit
me AK të përfshirë në klasat e tyre;
• Mungesën e strukturave mbështetëse që lehtësojnë përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta
në veprimtaritë zhvilluese dhe edukative brenda dhe jashtë shkollës;
• Konfuzionin në procesin e rregjistrimit të fëmijëve me nevoja të veçanta në shkollat e zakonshme;
• Papërshtatshmërinë e programeve mësimore për t‘ju përgjigjur nevojave specifike të nxënësve;
• Paqartësinë e mësuesve për të vlerësuar përparimin e nxënësve me nevoja të veçanta;
• Mungesën e konfortit fizik të shkollës për të pritur fëmijët me nevoja të veçanta;
• Mungesën e mjeteve dhe teknologjive ndihmëse për mësimdhënien efektive në një klasë gjithpërfshirëse;
• Mungesën e masave për të siguruar motivimin e mësuesve që punojnë edhe me fëmijët me nevoja
të veçanta;
Për të përmbushur deri në fund misionin e tij, projekti bashkëpunoi me forca të tjera aktive qeveritare
dhe joqeveritare, të cilat ishin të interesuara për mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtës për barazi arsimore të
fëmijëve me nevoja të veçanta. Ky bashkëpunim u konkretizua me aprovimin e Dipozitës Normative për
Arsimin Parauniversitar, të dhjetorit 2002, e cila jo vetëm garanton barazi arsimore për të gjithë por
parashikon një sërë detyrimesh ligjore drejtuar shkollës së zakonshme për të mbështetur me të gjitha
mjetet arsimin gjithpërfshirës (shih çështjen 2 të këtij raporti).
Përmirësimi i kuadrit ligjor i dha një shtysë të re veprimtarisë së projektit “Arsimi Special i Integruar” duke
mundësuar në këtë mënyrë gjenerimin e përvojës së parë rajonale të arsimit gjithpërfshirës për Shqipërinë.
16
Përfituesit e drejtpërdrejtë të kësaj përvoje, qenë fëmijët me AK dhe vështirësi në të nxënë (160
fëmijë nga rrethi i Librazhdit, 110 fëmijë nga rrethi i Elbasanit dhe 30 fëmijë nga Peqini), nga të cilët 165
u përfshinë në shkollën e zakonshme, ndërsa 35 të tjerëve ju ofrua edukim në shtëpi. Përveç fëmijëve me
nevoja të veçanta, në këtë kuadër, përfituan trajnim për arsimin gjithpërfshirës 150 mësues, 30 inspektorë
të Drejtorisë Arsimore të atëhershme, 30 punonjës social dhe 300 familje.
Por, në një raport studimor të ndërmarrë nga UNICEF dhe MASH për të vlerësuar arritjet e projektit
“Arsimi Special i Integruar” (dhjetor 2003) rezulton se përfitimet që rrjedhin nga zbatimi i modelit
gjithpërfshirës janë më të gjëra dhe të shumfishta. Në këtë kontekst, përmendet se:


Use: 0.0589