• STRATEGJI TË MËSIMDHËNIES


  •   
  • FileName: STRATEGJI TË MËSIMDHËNIES DHE TË NXËNIT-udhezuesi reaktuar FI [read-online]
    • Abstract: STRATEGJI TË MËSIMDHËNIESDHE TË TË NXËNITPËRKLASAT MENDIMTAREUDHËZUES PËR TRAJNUESITCHARLES TEMPLE, ALAN CRAWFORD,WENDY SAUL, SAMUEL R. MATHEWS,JAMES MAKINSTER.

Download the ebook

STRATEGJI TË MËSIMDHËNIES
DHE TË TË NXËNIT
PËR
KLASAT MENDIMTARE
UDHËZUES PËR TRAJNUESIT
CHARLES TEMPLE, ALAN CRAWFORD,
WENDY SAUL, SAMUEL R. MATHEWS,
JAMES MAKINSTER.
BOTIM I PROJEKTIT
“ZHVILLIMI I TË MENDUARIT KRITIK GJATË TË LEXUARIT DHE TË SHKRUARIT”
Ky libër është pjesë e serisë së botimeve
për zhvillimin e të menduarit kritik të nxënësve; në ndihmë të mësuesve dhe të
studentëve të fakulteteve, që përgatisin mësues.
Botimi i librit është financim i
Qendrës për Arsim Demokratik, Tiranë
dhe
Qendrës për Arsim të Kosovës, Prishtinë
Qendra për Arsim Demokratik dhe Qendra për Arsim e Kosovës kanë licensën e
zbatimit, në Shqipëri dhe në Kosovë, të Projektit ”Zhvillimi i të Menduarit Kritik gjatë të
Lexuarit dhe të Shkruarit” (MKLSH) dhe të shumëfishimit e të përdorimit të të gjitha
materialeve të lidhura me të.
Botues: Bardhyl Musai
Qendra për Arsim Demokratik (CDE)
Përkthyese: Majlinda Nishku
Redaktore: Lili Sula
Realizimi grafik: Fúzygrafik, Hungari
Ballina: Arian Dheri
Botuar nga The International Debate Education Association
(Shoqata Ndërkombëtare e Debatit Mësimor)
400 West 59th Street
New York, NY 10019
© Copyright, Open Society Institute (Instituti i Shoqërisë së Hapur), 2005
© Copyright, për botimin në shqip, Qendra për Arsim Demokratik, 2006
Të gjitha të drejtat e përkthimit, të përshtatjes e të riprodhimit, të çdo lloji, janë të
rezervuara.
Asnjë pjesë e këtij botimi nuk mund të riprodhohet ose të transmetohet, në asnjë formë dhe me asnjë
lloj mjeti, elektronik apo mekanik, përfshirë fotokopjimin dhe çdo sistem tjetër të ruajtjes dhe të
marrjes së informacionit, pa lejen e botuesit.
Qendra për Arsim Demokratik (CDE)
Rruga “Mustafa Matohiti”,Pallati 7, shkalla 1, nr. ½, Tiranë
Tel: +355 4 247 884
Fax: +355 4 247 893
E-mail:[email protected]
www.cde-ct.org
PËRMBAJTJA
1. HYRJE NË UDHËZUES
Pse shkollat duhet të nxisin të nxënit aktiv dhe të menduarit kritik?
Në cilat lëndë mund të zhvillohen të nxënit aktiv dhe të menduarit kritik?
Të nxënit aktiv dhe të menduarit kritik në gjithë kurrikulën
2. Ç'JANË PROGRAMET PËR ZHVILLIMIN PROFESIONAL TË MËSUESVE?
3. Ç’FARË PËRMBAN NJË RPOGRAM PRODUKTIV PËR ZHVILLIMIN PROFESIONAL TË MËSUESVE?
Përpara seminarit
Në seminar
Midis seminareve
Në seminarin tjetër
Pas seminarit
4. KRYERJA E VLERËSIMIT TË NEVOJAVE
Nevojat e nxënësve
Nevojat e personelit mësimor
Nevojat e programit
Nevojat për burime
5. KUSH DUHET TE DREJTOJË NJË PROGRAM PËR ZHVILLIMIN PROFESIONAL TË MËSUESVE?
6. SI TË ORGANIZOJMË DHE TË DREJTOJMË NJË SEMINAR TË SUKSESSHËM?
7. PËRGATITJA E MATERIALEVE PËR PJESËMARRËSIT
8. SI DUHEN PLANIFIKUAR SEMINARET E MKLSH- së?
9. PLANI I NJË SEMINARI TË MKLSH- së.
Veprimtari paraprake
Mësime demonstruese
Praktikë e drejtuar
Planifikimi për zbatim
Vlerësimi
Shembull i programit të një seminari/punëtorie
10. MATERIALET E NEVOJSHME PËR KURSIN
11. MIDIS SEMINAREVE
Provimi i metodave në klasë
Takimet vendore
Vëzhgimet në klasë
“Shoku kritik”
12. MONITORIMI DHE VLERËSIMI I NJË PROJEKTI
13. MBAJTJA GJALLË E LËVIZJES
Shoku kritik
Orë të hapura mësimi
Shkëmbime vizitash nga mësuesit
Konferencat
Gazetat dhe forumet në internet
SHTOJCA
Shtojca A: Rubrika dhe standarde për vlerësimin e punës së nxënësve
Shtojca B: Rubrika dhe standarde për vlerësimin e punës së mësuesve
Shtojca C: Si mësojnë nxënësit?
BIBLIOGRAFI
1. HYRJE NË UDHËZUES: MËSIMDHËNIA PËR TË ZHVILLUAR TË
NXËNIT AKTIV DHE TË MENDUARIT KRITIK
Ky libër ka për qëllim t’ju ndihmojë të përdorni udhëzuesin KLASAT MENDIMTARE,
kur drejtoni programe trajnimi për mësuesit, për t’i përgatitur ata të bëjnë orë mësimi, që
zhvillojnë të nxënit aktiv dhe të menduarit kritik. Me këta dy libra do të keni
udhëzime të qarta dhe të hollësishme, që do t’ju ndihmojnë të hartoni një program të
suksesshëm trajnimi për mësuesit. Gjatë kohës që përgatiteni të drejtoni programin,
duhet t’i lexoni të dy udhëzuesit me shumë kujdes dhe, më vonë, t’u referoheni atyre
për t’i pasur si udhërrëfyes për veprimtaritë në klasë.
Libri fillon me një paraqitje të ideve thelbësore, që do të jepen në programin e trajnimit.
Pastaj, hap pas hapi, vazhdon me udhëzime, se çfarë duhet bërë:
• Përpara seminareve, përgatitja.
• Gjatë kohës që drejtoni seminaret.
• Midis seminareve, kur kryhen testimet e rëndësishme në terren, takimet në
• bashkësi ose vëzhgimet e mësuesve.
• Në seminaret e mëpasme, kur mësuesit përmirësojnë praktikat e tyre dhe mësojnë praktika
të tjera.
• Në fund të programit, kur mësuesit vazhdojnë t’u tregojnë mësuesve të tjerë të
• mirat e zhvillimit profesional.
Pse shkollat duhet të zhvillojnë të nxënit aktiv dhe të menduarit
kritik?
Të nxësh në mënyrë aktive do të thotë të jesh kureshtar, të bësh pyetje, të zbulosh të rejat,
të mendosh gjerë e gjatë dhe të përdorësh njohuritë e tua për të zgjidhur probleme dhe
për të zbuluar gjëra të mëtejshme. Të menduarit kritik i shton gjithë sa përmendëm më
lart, praktikën e shikimit të çështjeve nga këndvështrime të ndryshme , shqyrtimin e
nuancave dhe të rrjedhojave të ideve dhe mbajtjen e një qëndrimi të mbështetur në
arsye. Nxënësit aktivë e konsiderojnë veten njëkohësisht edhe prodhues edhe
konsumatorë të njohurive. Të nxënit aktiv dhe të menduarit kritik janë e kundërta e të
nxënit pasiv. Në të nxënit pasiv, nxënësit dëgjojnë mësuesin dhe marrin informacion.
Në të nxënit aktiv dhe të menduarit kritik synohet, që të ngjallet kureshtja e
nxënësve, të zhvillohet tek ta aftësia për të bërë zbulime dhe për ta ndërtuar kuptimin në
formën e përgjigjeve ndaj pyetjeve që kanë si dhe të sfidohen për të menduar
thellë kuptimin e njohurive të reja. Së fundmi, synimi është ”përdorimi i njohurive”;
mendimtarët kritikë dhe nxënësit aktivë janë në gjendje ta përdorin atë që kanë mësuar si bazë
për nxënie të mëtejshme, si brenda ashtu dhe jashtë shkollës.
Është e vërtetë që, nxënësit duhet të marrin sasi të mëdha informacioni gjatë viteve të
shkollës, por, nga ana tjetër, ata nuk do të jenë në gjendje t’i zbulojnë të gjitha gjërat që duhet
të dinë vetëm përmes mjeteve aktive. Kërkimet shkencore kanë treguar vazhdimisht se, në
qoftë se nxënësit nuk mësojnë të mendojnë me njohuritë që kanë mësuar në shkollë,
STRATEGJI TË MËSIMDHËNIES DHE TË TË NXËNIT PËR KLASAT MENDIMTARE 1
pjesa më e madhe e këtyre njohurive do të mbetet e papërdorur,diku në skutat e kujtesës
së tyre, deri sa të harrohet plotësisht. Nga ana tjetër, në qoftë se nxënësve u jepet mundësia të
vlerësojnë informacionin dhe ta mbështesin atë me prova, t’i zbatojnë informacionet dhe
konceptet dhe t’i lidhin ato me njohuritë e tyre ekzistuese dhe me çka po mësojnë, atëherë ata:
• Nuk do të mësojnë thjesht për shkencën, por do të mësojnë të mendojnë në mënyrë
shkencore për të zgjidhur edhe probleme të vërteta.
• Nuk do të mësojnë vetëm për edukatën qytetare, por do të mësojnë edhe sesi të sillen në
mënyrë të përgjegjshme dhe bashkëpunuese me njerëzit, që kanë përqark.
• Nuk do të mësojnë vetëm matematikën, por edhe si të arsyetojnë dhe të bëjnë
administrimin e punëve të tyre.
• Nuk do të mësojnë vetëm të lexojnë dhe të shkruajnë, por do të fitojnë edhe përvojën e
informimit përmes leximit si dhe atë të mprehjes së mendimeve, duke i shprehur ato me
shkrim.
Me pak fjalë, në qoftë se nxënësve u mësohet të nxënë në mënyrë aktive, ata do të jenë të
përgatitur për ditën, kur do të përfundojnë shkollën dhe kur do t’u duhet të vazhdojnë të nxënë
vetë në jetë.
Në cilat lëndë mund të zhvillohet të nxënit aktiv dhe të menduarit
kritik?
Të nxënit aktiv dhe të menduarit kritik do të thotë:
• T’u kërkosh nxënësve të mendojnë për gjërat që dinë, rreth një teme dhe t’i nxisësh ata të
bëjnë pyetje për të, përgjigjet e të cilave, do të dëshironim, t’i gjenin gjatë studimit.
• T’i nxisësh nxënësit të hulumtojnë, që të gjejnë përgjigje për pyetjet e tyre.
• T’i shikosh temat dhe tekstet nga këndvështrime të ndryshme, përmes shqyrtimit të
nuancave dhe rrjedhojave të ideve, krijimit të ideve të arsyetuara mirë dhe mbështetjes së
tyre me prova.
• T’i vësh nxënësit të zbatojnë atë, që kanë mësuar në mësim gjatë zgjidhjes së problemeve;
t’i bësh ata të mendojnë gjerë e gjatë për kuptimin e asaj që kanë mësuar si dhe të kuptojnë
ndryshimin,që ka sjellë tek ta ky mësim.
Kur të nxënit aktiv dhe të menduarit kritik përshkruhen në këtë mënyrë, është e qartë se,
metodat aktive të mësimdhënies dhe të të nxënit mund të përdoren pothuaj në të gjitha lëndët.
Kur studiojnë matematikë, shkencë, lëndët shoqërore apo gjuhë e letërsi, madje edhe lëndë
praktike si bujqësia, ekonomia shtëpiake apo artet teknike, nxënësit mund të nxiten të
mendojnë dhe të mësojnë në mënyrë aktive si dhe të zbatojnë e zgjerojnë më tej atë që kanë
mësuar.
Të nxënit aktiv dhe të menduarit kritik në të gjitha lëndët
Mësuesit mund të përdorin metoda të ndryshme për të nxitur të nxënit aktiv dhe të menduarit
kritik. Në ç’mënyrë vendos mësuesi për metodën, që duhet përdorur? Për ta bërë këtë zgjedhje
më të lehtë këshillohet, që mësuesit të përdorin një kornizë të mësimdhënies dhe të të
nxënit, që shkurtimisht njihet si PNP, pra Parashikimi, Ndërtimi i njohurive, dhe
STRATEGJI TË MËSIMDHËNIES DHE TË TË NXËNIT PËR KLASAT MENDIMTARE 2
Përforcimi. Modeli PNP ilustrohet në të gjithë tekstin, me një treshe të thjeshtë figurash të
frymëzuara nga fazat e ndryshme të ciklit të jetës së bimës së grurit:
Metodat e përdorura në fazën e parashikimit të një mësimi kanë për qëllim
t’u kujtojnë nxënësve gjërat, që dinë për temën dhe sesi lidhet kjo temë me
jetën e tyre, dhe, ndoshta, edhe me tema të tjera që kanë studiuar. Këto
metoda i nxisin nxënësit të bëhen kureshtarë për temën e mësimit, të bëjnë
pyetje për të dhe të jenë të gatshëm të mësojnë prej tij.
Metodat e përdorura në fazën e ndërtimit të njohurive të mësimit kanë
për qëllim t’i nxisin nxënësit të studiojnë dhe të hulumtojnë përmbajtjen e
mësimit. Ky studim synon gjetjen e përgjigjeve për pyetjet që u kanë lindur, të
shuajë kureshtjen e nxënësve dhe t’i ndihmojë ata ta ndërtojnë kuptimin vetë.
Metodat e përdorura në fazën e përforcimit kanë për qëllim që t’i vënë
nxënësit të mendojnë edhe një herë për gjërat që kanë mësuar, t’i përsërisin
ato në mënyrë që t’i mbajnë mend, t’i zbatojnë në problemet, që kanë për të
zgjidhur dhe ta interpretojnë dhe ri-shqyrtojnë të menduarit e tyre, tashmë, në
kuadrin e fitimit të njohurive të reja.
Sigurisht, për teoritë e të nxënit, që qëndrojnë në themel të këtij programi trajnimi, mund të
thuhet shumë më tepër. Një paraqitje më e zgjeruar e tyre gjendet në Shtojcën C të këtij
Udhëzuesi për Trajnuesit.
2. Ç’JANË PROGRAMET PËR ZHVILLIMIN PROFESIONAL TË
MËSUESVE?
Programet për zhvillimin profesional përfshijnë një varg seminaresh dhe veprimtarish të
mëtejshme, që kanë për qëllim t’u vijnë në ndihmë mësuesve të mësojnë praktika të reja dhe t’i
fusin ato në punën e përditshme në klasë. Ato janë shumë më tepër sesa një paraqitje idesh,
sepse qëllimi i tyre nuk është thjesht, që mësuesit të njihen me praktikat e reja, por edhe që t’i
zbatojnë ato me sukses në klasë.
KLASAT MENDIMTARE dhe PROJEKTI I ZHVILLIMIT TË MENDIMIT KRITIK GJATË LEXIMIT DHE
SHKRIMIT, që përshkruhet në to, mbështeten në premisën se ndryshimi i praktikave të
mësimdhënies është një gjë e vështirë. Dhe kështu duhet të jetë, sepse çdo praktikë e re, që
përdoret nga mësuesit në klasë, do të ndikojë tek breza të tërë nxënësish, për mirë a për keq,
ndaj edhe çdo ndryshim në praktika, që propozohet të përdoret nga mësuesit, duhet:
1) Të mbështetet fort nga kërkimet shkencore dhe përvoja.
2) Të provohet ’’në terren’’, në orë mësimi, përpara se të futet përfundimisht si
praktikë në klasë.
3) Të përshtatet me kushtet lokale.
4) Të miratohet përkohësisht dhe të modifikohet sipas nevojave, për ta bërë më të
dobishme.
STRATEGJI TË MËSIMDHËNIES DHE TË TË NXËNIT PËR KLASAT MENDIMTARE 3
Le të shtojmë që, programet vërtet të suksesshme të zhvillimit profesional i ndihmojnë mësuesit
jo vetëm të mësojnë një grup të ri metodash të mësimdhënies, por i përgatisin ata t’ua tregojnë
këto metoda mësuesve të tjerë dhe t’u ndihmojnë atyre të përmirësojnë mësimdhënien.
3. ÇFARË PËRMBAN NJË PROGRAM PRODUKTIV PËR ZHVILLIMIN
PROFESIONAL TË MËSUESVE?
Përvetësimi dhe përdorimi i praktikave të reja të mësimdhënies nuk është gjë e lehtë. Shumica e
mësuesve kanë mësuar të japin mësim, bazuar në mënyrën sesi u është dhënë mësim vetë atyre
në shkollë si dhe duke futur disa njohuri shtesë, të marra nga vitet në shkollat normale apo në
fakultetet e mësuesisë. Këto vite mësimish janë shumë më tepër, sesa koha që do të kalojnë në
çfarëdo programi të zhvillimit profesional. Programet e zhvillimit profesional të mësuesve do të
duhet të bënin përpjekje të përmasave titanike, për të ndikuar sadopak te vitet e kaluara në
shkollë.
Programet e zhvillimit profesional të mësuesve janë shumë më tepër sesa një seminar i vetëm.
Programi duhet të hartohet dhe të organizohet me kujdes, mbështetur në nevojat dhe interesat
e pjesëmarrësve. Ai duhet të demonstrojë dhe t’i aftësojë mësuesit të praktikojnë metoda të
reja, t’i bëjë ata t’i zbatojnë metodat e reja në klasat e veta dhe të japin mendim për rezultatet si
dhe t’i përshtasin ato me rrethanat e tyre. Një program i suksesshëm për zhvillimin profesional
të mësuesve mund të sjellë përmirësime të mëtejshme në shkollë.
Përpara seminarit
• Vendosni se cilat aspekte të mësimdhënies dhe të të nxënit duhet të
përmirësohen dhe pse. Këshillohuni me mësues, drejtorë shkollash dhe njerëz të tjerë
që merren me arsimin. Shihni cilat janë, sipas tyre, përparësitë më të domosdoshme, që
duhen përmirësuar në mësimdhënien dhe në të nxënit, në shkolla.
Në seminar
• Filloni me vlerësimin e interesave dhe të nevojave të pjesëmarrësve.
Pjesëmarrësit duhet të kenë mundësinë të shprehin çfarë u duket e vlefshme në praktikën e
tyre të deritanishme dhe çfarë duan të përmirësojnë. Programi për zhvillimin profesional
duhet të konsiderohet si përgjigje për pyetjet, që kanë bërë pjesëmarrësit, pra si një varg
zgjidhjesh për problemet e identifikuara prej tyre.
• Bëj si them unë, dhe si bëj unë (Tregoni me fjalë dhe me vepra). Pra, programi
duhet të demonstrojë metodat, që do të mësojnë mësuesit. Pjesëmarrësit duhet të mësojnë,
si ta zhvillojnë veprimtarinë dhe të përfshihen në të, përpara se të diskutojnë vlerat e saj.
Përshkrimet me fjalë dhe diskutimet e metodave të mësimdhënies, në këtë moment, nuk
kanë ndonjë dobi të madhe. Disa pjesëmarrës mund të flasin gjerë e gjatë, sikur dinë shumë
për këto metoda, të tjerëve do t’u duket, se nuk dinë asgjë për to dhe do të ndjehen të lënë
mënjanë.E vërteta është, që askush nuk mund të krijojë të njëjtën ide për metodat, që
diskutohen. Është shumë më mirë, që në fillim të përfshihen të gjithë në veprimtari e pastaj
të diskutohet për të.
STRATEGJI TË MËSIMDHËNIES DHE TË TË NXËNIT PËR KLASAT MENDIMTARE 4
• Jini krejt të hapur ndaj pyetjeve dhe shqetësimeve të pjesëmarrësve. Edhe pse
idetë e reja mund të jenë shumë të mira, disa mësuesve, do t’u duken të papranueshme.
Fakti, që ju po sugjeroni praktika të reja, mund t’i bëjë mësuesit të mendojnë se, tani diçka
nuk shkon me mënyrën e tyre të mësimdhënies. U jepni pjesëmarrësve kohë të bollshme që
të bëjnë komente, të ngrenë shqetësime dhe të shtrojnë pyetje. Sigurisht, sa më shumë t’i
keni praktikuar këto metoda vetë, aq më të përgatitur do të jeni t’u përgjigjeni këtyre
pyetjeve.
• U jepni mundësi pjesëmarrësve të provojnë procedura të reja të
mësimdhënies në praninë e trajnerëve, që kanë përvojë me këto procedura.
“Praktika e drejtuar,” siç e quajmë, është pjesë themelore e çdo seminari. Pjesëmarrësit
bëjnë “mini-mësime” dhe marrin komente përkrahëse dhe kritika dashamirëse nga kolegët
dhe trajnerët.
• Monitoroni veprimtaritë. Çdo fazë e seminarit si dhe veprimtaritë, që e rrethojnë atë
duhet të monitorohet dhe të vlerësohet me kujdes, në mënyrë që, po të jetë nevoja, të
përmirësohet. Edhe puna e mësuesve mund të vlerësohet nga ata vetë ose nga
vizitorë,atëherë kur idetë e reja të paraqitura në seminare, të zbatohen në klasë. Kjo i
ndihmon ata,që të arrijnë një nivel të kënaqshëm kompetence.
• Nxitini pjesëmarrësit t’i provojnë metodat në orët e veta të mësimit. Përpara se
të largohen nga seminari, pjesëmarrësit duhet të përgatisin plane për zbatimin e këtyre
metodave në një ose më shumë prej orëve të tyre të mësimit. Atyre u bëhet e qartë se,
duhet t’i provojnë këto metoda disa herë, (jo vetëm një a dy herë) për t’u mësuar me
to. Edhe nxënësve u duhet dhënë kohë të përshtaten me procedurat e reja. Vetëm kur
metoda përdoret aq herë sa mësuesi dhe nxënësit aftësohen për të funksionuar me të,
mësuesi mund të përcaktojë, nëse kjo metodë është e përshtatshme për lëndën apo jo.
Midis seminareve
• Takime vendore të pjesëmarrësve. Është e rëndësishme që, pjesëmarrësit të
raportojnë dhe të mbështeten nga të tjerët, kur eksperimentojnë metodat e reja të
mësimdhënies. Në qoftë se seria e seminareve është parashikuar të zhvillohet një herë në
muaj ose edhe më shumë,pjesëmarrësit duhet të organizohen në grupe vendore për t’u
takuar në intervale të rregullta (ndoshta një herë në dy javë). Grupet mund të përbëhen
nga dy ose më shumë mësues nga e njëjta shkollë ose nga i njëjti qytet. Kur takohen, ata i
raportojnë njëri-tjetrit për metodat e reja, që kanë provuar, u tregojnë kolegëve planet e
orëve të mësimit dhe punime të nxënësve si dhe diskutojnë sukseset e arritura e vështirësitë
e hasura. Ndërkohë që një person tregon, të tjerët e përgëzojnë për sukseset dhe përpiqen
të gjejnë rrugë për zgjidhjen e problemeve. Gjatë këtyre seancave, mësuesit duhet të
mbajnë shënime. Kështu shënohen metodat, që janë përdorur, rezultatet e arritura,
problemet e hasura dhe zgjidhjet e provuara. Këto shënime duhet t’i sjellin në seminarin e
ardhshëm.
STRATEGJI TË MËSIMDHËNIES DHE TË TË NXËNIT PËR KLASAT MENDIMTARE 5
• Rafinimi i praktikave. Mësuesit i kontrollojnë rezultatet e përpjekjeve të tyre me
metodat e MKLSH-së, duke përdorur standardet dhe rubrikat e programit. Mësuesit
vëzhgojnë njëri-tjetrin, duke u vënë në rolin e ’’shokut kritik’’ ose vëzhgohen nga një
drejtues i seminarit i cili u jep mendime dhe sugjerime të dobishme.
Në seminarin tjetër
• “Raportoni” për provat e bëra dhe gjeni zgjidhje për problemet. Kur të
mblidheni në seminarin tjetër, secilit grup duhet t’i jepet kohë të raportojë për metodat, që
kanë provuar anëtarët e tij dhe për rezultatet e arritura. Ata duhet të flasin lirisht për
problemet, që kanë hasur dhe, më pas, për zgjidhjet që kanë gjetur për këto vështirësi. Në
qoftë se ka ndonjë problem, që mbetet i pazgjidhur (dhe ka shumë mundësi të ndodhë
kështu), drejtuesi i seminarit i fton të tjerët të bëjnë sugjerime sesi mund të modifikohen
metodat ose sesi mund të ndryshohen rrethanat e tjera, që metodat të jenë më të
suksesshme. (Këtu është e rëndësishme, që, drejtuesi i seminarit t’i nxisë pjesëmarrësit t’i
zgjidhin vetë problemet e tyre.)
Pas seminareve
• Monitorimi i arritjeve të mësuesve me anë të standardeve për punën e
mësuesit. Programi MKLSH-së shoqërohet me një grup standardesh dhe rubrikash
për vlerësimin e punës. Këto janë hartuar nga mësues të cilëve iu kërkua të përshkruanin
mësimdhënien e tyre, kur, ata mendonin se, i përdornin metodat e MKLSH-së ashtu siç
duhet. Standardet janë fjali, që shprehin pritshmëritë (si për shembull: “Nxënësit do të
komunikojnë lirisht në klasë”). Rubrikat janë grupe përshkrimesh, që tregojnë se ç'pamje
ka ora e mësimit, kur mësuesit i përdorin metodat e reja shumë mirë, mjaftueshëm ose
pamjaftueshëm. Rubrikat ndihmojnë dhe lehtësojnë punën në bazë të standardeve.
• Veprimtari përhapëse. Mësuesit në projektin MKLSH do të ngjallin mjaft kureshtje
ndër kolegët e tyre. Dhe kjo është e dëshirueshme! Kolegët do të bëhen kureshtarë t’i
shohin metodat e reja në veprim dhe do të duan t’i përdorin në orët e tyre të mësimit. Nga
fundi i programit, kur t’i kenë mësuar mirë metodat dhe të dinë t’u përgjigjen pyetjeve për
to, pjesëmarrësit do të kryejnë një varg veprimtarish përhapëse, si për mësuesit që nuk i
njohin idetë e MKLSH-së, ashtu edhe për kolegët e tyre në program. Ndër këto veprimtari
përfshihen orët e hapura të mësimit, për grupin e parë si dhe shkëmbime përvojash,
konferenca, gazeta e forume në internet, për grupin e dytë.
4. VLERËSIMI I NEVOJAVE
Përpara fillimit të një programi si MKLSH, duhet të merren masa, që programi trajnues të
trajtojë nevojat e vërteta të nxënësve dhe mësuesve në shkollat, që janë caktuar të marrin pjesë
në trajnim. Nëse përcaktohet që mësuesit do të përfitojnë nga trajnimi në strategjitë e të nxënit
aktiv dhe të menduarit kritik, kjo s’do të thotë, që ata janë “të prapambetur” apo të
’’pazhvilluar’’. Studime ndërkombëtare, që janë kryer në mbarë botën (për shembull vlerësimi
PIRLS), kanë treguar se, pothuaj të gjitha shkollat kanë nevojë të përmirësojnë praktikat e tyre,
t’u mësojnë nxënësve të mendojnë më thellë, që ata të mund të zgjidhin probleme dhe të
STRATEGJI TË MËSIMDHËNIES DHE TË TË NXËNIT PËR KLASAT MENDIMTARE 6
zbulojnë njohuri të reja. Por, edhe kur nevoja për përmirësimin e mësimdhënies është e
dukshme, madje urgjente, përsëri duhen marrë në shqyrtim nevojat mësimore të nxënësve dhe
të mësuesve.
Një nga arsyet, pse bëhet vlerësimi i nevojave, është që të sigurojë fonde dhe mbështetje
administrative për programin. Është fakt që, në shumë vende, ka probleme të mprehta, si
shkollimi bazë i nxënësve, që nuk kanë mundësitë dhe mjetet financiare të ndjekin arsimin
fillor. Në të gjithë botën ka rreth 100 milion nxënës të moshës së shkollës fillore, që nuk
shkojnë në shkollë. E megjithatë, gjatë leximit të këtij udhëzuesi, duhet të keni kuptuar që,
vetëm ofrimi i mundësisë për të shkuar në shkollë, sado përpjekje heroike, nuk mjafton. Në
qoftë se nxënësve u mësohet të nxënë përmendësh, në qoftë se ata nuk e kuptojnë se çfarë po u
jepet mësim dhe nuk mësojnë të mendojnë, atëherë asqë nuk do të mund t’i përdorin ato, që
kanë mësuar, për të zgjidhur probleme në jetë apo për të punuar bashkë me të tjerët. Dhe ka të
ngjarë që, këta nxënës ose do ta lënë shkollën shumë shpejt ose një pjesë e mirë e shkollimit të
tyre do të jetë pa vlerë ose të dyja. Prandaj, ndoshta do të duhet t’u tregoni njerëzve, që mund
të ofrojnë mbështetje administrative dhe fonde për programin e trajnimit, që zhvillimi
profesional i mësuesve është shumë i rëndësishëm, sepse e bën shkollimin e nxënësve më të
efektshëm për nxënësit.
Një arsye tjetër pse duhet kryer vlerësimi i nevojave është mobilizimi i mësuesve në programin
e përmirësimit të praktikave të punës. Mësuesit mund të pyesin, pse duhet t’i ndryshojnë
praktikat e tyre ose mund të ndjejnë, që ky program trajnimi po u imponohet nga persona ‘‘të
jashtëm’’, që nuk e dinë se ç'do të thotë të japësh mësim në shkollat ose në klasat e tyre. Është
shumë e rëndësishme që, këta mësues të kenë mundësinë të shprehin nevojat e tyre dhe t’i
përkufizojnë problemet ashtu siç i shohin ata.
Atëherë, veprimtaritë e vlerësimit të nevojave duhet të kryejnë dy funksione:
1. Ato ofrojnë provat, që mund t’ju kërkohen, kur të kërkoni ndihmë administrative dhe
fonde për programin tuaj të trajnimit.
2. Ato përfshijnë edhe vetë mësuesit në identifikimin e nevojave për ndryshim si dhe në
përcaktimin e llojeve të ndryshimeve.
Çdo projekt, që lidhet me të nxënit aktiv dhe të menduarit kritik, duhet të kryejë vlerësimin e
nevojave në disa drejtime. Drejtimi i parë është niveli i të kuptuarit të nxënësve, motivimi i
tyre për të mësuar si dhe shprehitë tipike të të nxënit. Këtu mund të bëni pyetje si:
• Sa mirë i kuptojnë nxënësit ato, që dëgjojnë apo lexojnë?
• Si është motivimi i tyre për shkollë, i lartë apo i ulët?
• A e kanë zakon të mësojnë përmendësh çdo gjë, që duhet të dinë, apo bëjnë pyetje dhe
hulumtojnë më tej për ti gjetur vetë?
• A janë origjinalë në mendime apo në përgjithësi priren të përsërisin idetë, që mësojnë nga
mësimi?
• A mund t’i zbatojnë ato, që po mësojnë, në tema të tjera, në lëndë të tjera dhe në jetën e
tyre?
• A punojnë mirë me shoku-shokun? A mund të zhvillojnë diskutime dhe të dëgjojnë aktivisht
njëri-tjetrin? A mund të kontribuojnë në idetë e njëri-tjetrit për të arritur kuptime të reja?
Drejtimi i dytë përqendrohet tek praktikat e tanishme mësimdhënëse të mësuesve. Si
veprojnë mësuesit në përgjithësi, mbajnë leksione dhe u kërkojnë nxënësve të mbajnë shënime,
STRATEGJI TË MËSIMDHËNIES DHE TË TË NXËNIT PËR KLASAT MENDIMTARE 7
të mësojnë përmendësh dhe të ritregojnë? A nxisin pyetje dhe diskutime në klasë? A i zhvillojnë
të gjitha mësimet në të njëjtën mënyrë? A e vlerësojnë nxënien e nxënësit vetëm përmes
detyrave të rendit të ulët, që kërkojnë mbajtje mend përmendësh? Ju mund të dyshoni, që
mësuesit dhe nxënësit futen në këto kategori, por, do të ishte mirë, që kjo të verifikohet dhe të
dokumentohet përpara fillimit të projektit të ri.
Drejtimi i tretë është programi kurrikular. A arrijnë të nxënit aktiv dhe të menduarit kritik
të plotësojnë synimet e kurrikulës, si të shkollës së përcaktuar për trajnim ashtu edhe të
Ministrisë së Arsimit? Shpesh, sasia e mbështetjes, që jepet për trajnime dhe për reformën në
fushën e mësimdhënies që propozoni, varet nga mënyra sesi përputhen programet (MKLSH)
me kurrikulën zyrtare. Është e rëndësishme që, të mbahet parasysh se, strategjitë e dhëna në
projektin e MKLSH-së nuk e ndryshojnë përmbajtjen e kurrikulës, por vetëm mënyrën sesi ajo
jepet mësim.
Dhe një drejtim i katërt i rëndësishëm përqendrohet tek përputhja midis burimeve në
dispozicion dhe atyre, që nevojiten për të mbështetur një program të tillë. Te burimet bëjnë
pjesë personeli, objektet (ndërtesat), materialet dhe mundësia për t’i dhënë leje mësuesve të
ndjekin programin e trajnimit.
Nevojat e nxënësve
Në disa raste, rezultatet e testeve, që masin arritjet e nxënësve në lexim dhe aftësitë e të
menduarit të rendit të lartë, mund të sjellin ndryshimin e praktikave mësimdhënëse në klasë.
Shumë vende janë pjesëmarrëse në Studimin për Përparimin e Aftësive Lexuese të Nxënëse në
nivel Ndërkombëtar (anglisht: Progress in International Reading Literacy Study -PIRLS), që
sponsorizohet nga Shoqata Ndërkombëtare për Vlerësimin e Arritjeve Arsimore (anglisht:
International Association for the Evaluation of Educational Achievement-IEA). Ky program teston
arritjet e nxënësve në lexim në klasën e katërt. Shumë vende dhe drejtori rajonale arsimore
bëjnë vlerësimet e tyre për arritjet në lexim. Kur rezultatet e testeve të leximit, që masin
aftësitë e të menduarit të rendit të lartë, janë të pakënaqshme, kjo tregon nevojën për trajnim
në fushën e praktikave mësimdhënëse, që çojnë përpara të nxënit aktiv dhe të menduarit kritik
në klasë.
Vëzhgimet në klasë janë një tjetër mënyrë për të vlerësuar nevojat e nxënësve. Standardet dhe
rubrikat përqendrohen në të nxënit aktiv dhe të menduarit kritik. Këto janë rezultat i punës së
një grupi mësuesish, që morën pjesë në projektin ZHVILLIMI I MENDIMIT KRITIK GJATË LEXIMIT
DHE SHKRIMIT. Një vëzhgues i trajnuar caktohet të vëzhgojë gjatë një ore mësimi disa nxënës të
zgjedhur në mënyrë të çfarëdoshme, për të parë përmbushjen e standardeve, që qëndrojnë në
themel të të nxënit aktiv dhe të të menduarit kritik. Kjo bëhet përmes vlerësimit të
punës/pjesëmarrjes së tyre në mësim, me anë të një shkalle me tri pika dhe me një grup
rubrikash, që shoqërojnë standardet. Kur nxënësit njihen me aspektet reflektuese të të nxënit
aktiv dhe të menduarit kritik, ne i inkurajojmë ata t’i përdorin standardet dhe rubrikat për të
vlerësuar arritjet e veta.
Në të dyja rastet, vlerësimi i nevojave do të jetë i dobishëm në qoftë se bën të mundur
përcaktimin e hendekut, që ekziston midis arritjeve të nxënësve me të nxënë aktiv dhe të
menduar kritik dhe nivelit të arritjeve të përcaktuara në synimet e programit. Identifikimi i këtij
hendeku përcakton edhe fushat, ku nxënësit dhe mësuesit kanë nevojë të zhvillohen më tej.
STRATEGJI TË MËSIMDHËNIES DHE TË TË NXËNIT PËR KLASAT MENDIMTARE 8
Nevojat e personelit mësimdhënës
Vëzhgimet në klasë mund të përdoren edhe për të vlerësuar punën e mësuesve. Shtojca B
përmban një varg standardesh dhe rubrikash, që mund të përdoren gjatë vëzhgimit të mësuesve
në klasë. Vëzhgues të trajnuar, që në shumicën e rasteve janë kolegë të mësuesve në rolin e një
shoku kritik, caktohen të vëzhgojnë mësuesit gjatë mësimit. Këta vëzhgues shënojnë veprimet e
tyre në lidhje me standardet, që qëndrojnë në themel të të nxënit aktiv dhe të menduarit kritik.
Ata vlerësojnë punën mësimdhënëse me anë të një shkalle me tri pika dhe me një grup
rubrikash, që shoqërojnë standardet. Kur fillojnë të bëhen më refleksivë në punë, mësuesit
mund të fillojnë të vlerësojnë veten. Rezultatet e vlerësimit duhet të bëhen anonime, pra pa
shënuar emrin e mësuesit. Qëllimi është që të përcaktohen nevojat e përgjithshme për
programin dhe jo nevoja që ka secili mësues për programin.
Pyetësorët dhe intervistat me mësuesit janë gjithashtu mënyra të dobishme për të mbledhur
informacionin e nevojshëm. Pyetjet dhe kërkesat duhet të reflektojnë synimet e programit.
Edhe kjo është një strategji, që mund të tregojë, se zhvillimi i planifikuar profesional i
personelit mësimor është në përputhje me normat dhe traditat kulturore të zonës.
Ashtu siç vërejtëm më sipër, vlerësimi i nevojave do të jetë i dobishëm, në qoftë se bën të
mundur identifikimin e hendekut, që ekziston midis praktikave e qëndrimeve të tanishme të
mësuesve dhe këndvështrimeve të administratorëve për mësimdhënien dhe të nxënit, nga njëra
anë, me praktikat, qëndrimet dhe këndvështrimet e dëshiruara sipas synimeve të programit, nga
ana tjetër. Ky hendek bën të mundur përcaktimin e nevojave të mësuesve si dhe të synimeve
dhe objektivave të programit.
Nevojat programore
Pas kësaj, personeli i programit mund të takohet me administratorët dhe mësuesit e shkollave
për të përcaktuar si më poshtë:
• Synimet dhe pritshmëritë që kanë individët apo organizata që kërkon PROJEKTIN E
ZHVILLIMIT TË MENDIMIT KRITIK GJATË LEXIMIT DHE SHKRIMIT, ndryshimet që presin të
shohin në praktikat mësimdhënëse, vlerësimin e nxënësve dhe komunikimin e nxënësve me
njëri-tjetrin dhe me mësuesit.
• Mandatet ligjore që kanë të bëjnë me programin e propozuar.
• Marrëdhëniet e synimeve të programit me planin arsimor kombëtar, vendor ose me
kurrikulën.
• Sasinë e mbështetjes, që do të ketë kjo reformë arsimore, nga Ministria, administratorët
arsimorë të krahinës ose qytetit/fshatit dhe drejtorët e shkollave.
• Postin e tanishëm të pjesëmarrësve të mundshëm (për shembull, mësues të fillores, të
shkollës së mesme, të shkollave profesionale, drejtorë shkollash, personel i OJQ-ve).
• Nivelin e përgjithshëm të arsimit dhe të kualifikimit të pjesëmarrësve (për shembull,
diplomë universitare për mësuesi, diplomë nga shkolla normale për ciklin e mesëm, për
ciklin fillor).
• Programe të tjera trajnimi ose kualifikimi, që kanë ndjekur mësuesit, gjatë kohëve të
fundit.
• Përvojën mësimdhënëse ndër pjesëmarrësit e mundshëm.
STRATEGJI TË MËSIMDHËNIES DHE TË TË NXËNIT PËR KLASAT MENDIMTARE 9
• Mbështetjen për krijimin dhe zhvillimin e një bashkësie profesionale me pjesëmarrësit.
Nevojat për burime
Organizuesit e programit duhet të takohen edhe me drejtuesit dhe mësuesit e shkollave, për të
identifikuar burimet ekzistuese dhe ato që nevojiten për të zhvilluar programin, si:
• Pikën lokale të kontaktit për planifikimin dhe organizimin e trajnimit. Personin që mund të
marrë vendime dhe mund të angazhojë burime si hapësirë, transport, akomodim,
materiale, etj.
• Mbështetjen, që mund të sigurohet, nga shkolla dhe bashkësia për nevojat e pjesëmarrësve
dhe të trajnerëve gjatë trajnimit, si honorarë, ambiente për seminarin, duke përfshirë edhe
ambientet për punë në grupe, materiale, transport, nëse është e nevojshme dhe akomodim.
• Mbështetjen e mundshme me fonde, nga organizatat lokale, rajonale dhe kombëtare, si dhe
nga OJQ-të.
5. Kush duhet të drejtojë një program trajnimi për zhvillimin
profesional të mësuesve?
Shumë drejtori arsimore kanë njerëz të caktuar, që drejtojnë trajnimet dhe zhvillimin
profesional të mësuesve. Por, edhe në qoftë se njerëz të tillë ekzistojnë në zonën tuaj, ne e
dimë se ka metodistë, pedagogë dhe mësues të cilët mund të bëhen trajnerë të mirë. Kushdo,
që bëhet trajner, duhet të ketë këto cilësi:
1) Të gëzojë respektin e pjesëmarrësve dhe të jetë në gjendje të komunikojë lehtë
me ta. Njerëzit, që respektohen për aftësitë e tyre mësimdhënëse shpesh, bëhen trajnerë
shumë të mirë. Ata e njohin mirë mësimdhënien në klasë, kështu që mund të flasin nga përvoja
e tyre dhe të jenë trajnerë bindës.
2) Të ketë praktikuar teknikat e mësimdhënies, që do të paraqiten në programin
e trajnimit të mësuesve. Siç mund të shihni nga përshkrimi i mësipërm i programit të
trajnimit të mësuesve të MKLSH-së, trajnerët duhet të jenë në gjendje të demonstrojnë
metodat e mësimdhënies para një audience mësuesish kureshtarë (në fillim, shpesh edhe
skeptikë). Trajnerët duhet t’i përgjigjen pyetjeve rreth metodave dhe duhet t’i ndihmojnë
pjesëmarrësit të gjejnë mënyra për t’i zbatuar ato në një varg rrethanash të ndryshme.
Pjesëmarrësit presin nga trajnerët përvojën e tyre; kjo do të thotë që trajnerët i kanë provuar
metodat vetë, përpara se t’i paraqesin ato në një program trajnimi. Edhe trajnerët që nuk janë
mësimdhënës në klasë mund të jenë të mirë, por ata duhet të organizojnë vizita në orë mësimi
dhe t’i provojnë metodat me nxënësit.
STRATEGJI TË MËSIMDHËNIES DHE TË TË NXËNIT PËR KLASAT MENDIMTARE 10
6. SI TË ORGANIZOJMË DHE TË DREJTOJMË NJË SEMINAR TË
SUKSESSHËM?
Ndodh që, mësuesit shkojnë në seminare të mira dhe shohin trajnerë të përgatitur të cilët
punojnë në mënyrë të organizuar. Me vete thonë: “Sa i zoti/e zonja është! Unë nuk i bëj dot
këto gjëra!”
Nuk është kështu. Ç,që ka vullnetin të punojë shumë, mund të bëhet trajner i mirë dhe i
suksesshëm. Ndonëse nuk ka një stil apo metodë të vetme, për të drejtuar trajnimet, ekzistojnë
disa parime, që mund t’i mësoni dhe mund t’i praktikoni, për t’u bërë trajnerë të mirë.
1. Krijoni një mjedis të ngrohtë e mikpritës. Mësuesit mund të jenë më të mëdhenj, më
të veshur dhe më hijerëndë se nxënësit, por, ashtu si nxënësit, të rriturit mësojnë më shumë
kur janë aktivë, pra, kur i provojnë gjërat vetë, kur krijojnë, bëjnë pyetje, shkëmbejnë ide dhe
punojnë së bashku me të tjerët. Megjithatë, po ashtu si nxënësit, të rriturit mund të jenë të
tërhequr dhe të turpshëm, prandaj, që ata të marrin pjesë në seminar, duhet të ndjehen të qetë,
të respektuar dhe të përfshirë.
Kur të përfytyroni veten si trajnues, gjëja e parë, që duhet të keni parasysh, është përgjegjësia
për të krijuar një mjedis të sigurt dhe të ngrohtë, ku njerëzit të nxiten të bëjnë pyetje, të ndajnë
mendime, dhe të dërmarrin rreziqe. Këtë mund ta bëni duke i kushtuar kujdes mjedisit fizik
edhe përmes mënyrës së komunikimit me pjesëmarrësit. Trajnuesit e mirë i nxisin
pjesëmarrësit të flasin për idetë dhe përvojat


Use: 0.0728